Mojtaba Khamenei, udhëheqësi i ri suprem i Iranit, mungoi në funeralin e babait të tij, Ali Khamenei, duke shtuar spekulimet mbi gjendjen e tij dhe situatën e sigurisë në vend.

Në ceremoninë mortore morën pjesë tre djemtë e tjerë të Ali Khameneit, Masoud, Mostafa dhe Meysam, si edhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian, komandanti i Gardës Revolucionare Ahmad Vahidi dhe drejtues të tjerë të lartë të regjimit.

Mungesa e Mojtaba Khameneit vjen në një kohë kur qarkullojnë zëra se ai mund të jetë plagosur gjatë sulmeve ajrore amerikano-izraelite që, sipas këtij skenari, i morën jetën të atit. Ai nuk është shfaqur publikisht që nga emërimi në krye të Republikës Islamike në fillim të marsit.

Autoritetet iraniane presin që në ceremonitë mortore, të cilat do të zgjasin disa ditë në Iran dhe Irak, të marrin pjesë nga 12 deri në 20 milionë njerëz. Vetëm në Teheran pritet një pjesëmarrje prej më shumë se 10 milionë personash.

Ceremonia u zhvillua në kompleksin fetar Grand Mosalla në Teheran, ku arkivoli i Ali Khameneit u vendos për homazhe publike. Më pas ai do të përcillet në një procesion në kryeqytet, përpara se të dërgohet në qytetin e shenjtë Qom dhe më pas në Mashhad, ku do të varroset.

Funerali zhvillohet në një klimë të tensionuar rajonale. Armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit vijon të mbetet i brishtë, ndërsa bisedimet për një marrëveshje paqeje janë pezulluar për shkak të ceremonive mortore.

Gjatë ceremonisë, turma brohoriti slogane kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ndërsa u panë pankarta me mesazhe kundër presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Në disa raste u dëgjuan edhe thirrje për hakmarrje.

Sipas autoriteteve iraniane, mijëra punonjës të shëndetësisë dhe forcave të sigurisë janë angazhuar për të garantuar mbarëvajtjen e ceremonive, ndërsa deri tani nuk janë raportuar incidente të rënda.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu