
Disa gazetarë janë sulmuar dhe kanë mbetur të plagosur gjatë protestave kundër kongresit federal të partisë së ekstremit të djathtë AfD, të mbajtur në qytetin gjerman të Erfurtit.
Sipas mediave gjermane, një ekip i portalit Apollo News u sulmua nga protestues, ndërsa drejtori i redaksisë deklaroi se një prej reporterëve u godit me shkelm në pjesën e pasme të kokës. Policia nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë episod, megjithëse në rrjetet sociale janë publikuar pamje që pretendohet se tregojnë incidentin.
Autoritetet konfirmuan se të paktën dy gazetarë të tjerë u plagosën pasi protestues hodhën shishe drejt tyre. Njëri prej tyre u transportua me ambulancë në spital për kontrolle mjekësore. Nuk është bërë publik identiteti i mediave për të cilat punonin.
Pamje të tjera të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë edhe gazetarë të gazetës konservatore Junge Freiheit të rrethuar dhe të intimiduar gjatë mbulimit të protestave.
Sipas agjencisë gjermane DPA, rreth 31 mijë persona morën pjesë në demonstratat kundër kongresit të AfD-së. Protestat u zhvilluan kryesisht në mënyrë paqësore, ndërsa pjesëmarrësit mbanin pankarta me mesazhe si “Ndal nazistët e AfD-së” dhe “Për diversitetin, kundër nazizmit”.
Aleanca antifashiste Widersetzen deklaroi se synimi i protestës ishte bllokimi i kongresit të AfD-së, duke akuzuar partinë për politika që, sipas saj, nxisin urrejtje dhe përjashtim.






