
Një nga momentet më simbolike të protestës së kësaj të shtune në Tiranë ishte mbërritja e një arkivoli prej druri, të cilin protestuesit e transportuan mbi supe deri përpara godinës së Kryeministrisë.
Arkivoli u shfaq mes turmës, ndërsa protestuesit brohorisnin parulla kundër qeverisë dhe kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas organizatorëve, ai simbolizon fundin politik të kreut të qeverisë dhe mesazhin se qytetarët kërkojnë ndryshim.
Pamjet nga protesta tregojnë qindra pjesëmarrës që shoqërojnë arkivolin drejt hyrjes së Kryeministrisë, mes flamujve kombëtarë dhe thirrjeve kundër qeverisë.
Protesta e sotme është dita e 35-të e mobilizimit qytetar në Tiranë, ku pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, lirimin e protestuesve të arrestuar dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.



