
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar më shumë se 1 miliard dollarë të ardhura nga bizneset e lidhura me kriptovalutat gjatë vitit të parë pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas raportit të detyrueshëm financiar për vitin 2025, Trump përfitoi rreth 635 milionë dollarë nga honoraret e një kompanie të quajtur “Celebration Coins”, e cila besohet të jetë pas monedhës meme “$TRUMP”. Ai raportoi gjithashtu mbi 500 milionë dollarë të ardhura nga “World Liberty Financial”, një kompani e kriptovalutave e themeluar nga djemtë e tij dhe fëmijët e të dërguarit special Steve Witkoff.
Raporti financiar, me 927 faqe, tregon se të ardhurat totale të Trump arrijnë të paktën në 2.2 miliardë dollarë, dukshëm më shumë se rreth 600 milionë dollarët e deklaruar një vit më parë.
Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë pretendimet për konflikt interesi, duke theksuar se bizneset e presidentit administrohen nga një trust i menaxhuar nga djemtë e tij.
Vetë Trump u shpreh se nuk merret me financat personale dhe se fitimet lidhen me rritjen e tregjeve.
“Kam bërë shumë para edhe para se të bëhesha president. Të tjerë menaxhojnë fondet e mia dhe unë nuk flas me ta”, deklaroi ai.
Trump, i cili në vitin 2021 e kishte quajtur Bitcoin një “mashtrim”, gjatë fushatës së tij premtoi ta shndërrojë SHBA-në në “kryeqytetin botëror të kriptovalutave”. Pas rikthimit në detyrë, ai firmosi një urdhër ekzekutiv për mbështetjen e zhvillimit të industrisë së kriptove.
Ekspertët e etikës kanë ngritur shqetësime për konflikt të mundshëm interesi, ndërsa Shtëpia e Bardhë këmbëngul se të gjitha veprimet e presidentit janë në interes të qytetarëve amerikanë.
Përveç kriptovalutave, Trump raportoi të ardhura të konsiderueshme edhe nga resortet e golfit, markat e produkteve me emrin e tij, si ora, Bibla, parfume dhe kitara, si edhe nga marrëveshje ligjore me kompani mediatike dhe teknologjike.






