
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, zhvilloi një takim me një delegacion eurodeputetësh të Parlamentit Europian, ku në fokus ishte Kapitulli 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”, si edhe projekti i mundshëm në zonën e Zvërnecit.
Jaupaj prezantoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian në fushën e mjedisit, duke theksuar se vendi konsiderohet ndër më të avancuarit në Ballkanin Perëndimor për mbrojtjen e biodiversitetit.
Lidhur me projektin në Zvërnec, ministri deklaroi se Ministria e Mjedisit po e ndjek çështjen në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Europian.
Sipas tij, çdo projekt i mundshëm do t’i nënshtrohet Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), procedurave ligjore, konsultimit publik dhe një procesi plotësisht transparent, me mbrojtjen e biodiversitetit dhe të vlerave natyrore si prioritet.
Jaupaj ritheksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar të zbatojë standardet europiane në çdo vendimmarrje që lidhet me mjedisin, duke garantuar një ekuilibër mes zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së natyrës.
Pas takimit, delegacioni i eurodeputetëve mbajti një konferencë për shtyp.






