Lamine Yamal ka bërë publikisht ftesën e tij për Julian Alvarez, duke i kërkuar sulmuesit argjentinas të transferohet te Barcelona gjatë merkatos së verës.

Në një intervistë nga grumbullimi i Spanjës në Botëror, talenti 18-vjeçar tha se do ta priste me krahë hapur fituesin e Kupës së Botës.

“Shpresoj që të vijë, sepse është një lojtar i madh. Nëse vjen, do ta presim me krahë hapur. Barcelona është klubi më i mirë në botë, me tifozët më të mirë dhe qytetin më të mirë. Po të isha në vendin e tij, do ta bëja”, u shpreh Yamal.

Deklarata vjen në një kohë kur raportet mes Julian Alvarez dhe trajnerit Diego Simeone thuhet se janë përkeqësuar. Mediat spanjolle raportojnë se sulmuesi ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Atletico Madrid pas dy sezonesh, ndërsa Simeone nuk do ta pengonte transferimin nëse gjendet marrëveshja e duhur.

Edhe mesfushori Pedri ka mbështetur idenë e afrimit të Alvarez, duke theksuar se Barcelona duhet të ketë gjithmonë lojtarët më të mirë, edhe pse pranoi se pengesa kryesore mbetet situata financiare e klubit.

Barcelona e sheh Julian Alvarez si pasuesin ideal të Robert Lewandowskit, por negociatat pritet të jenë të vështira. Atletico Madrid preferon ta shesë sulmuesin jashtë Spanjës dhe kërkon një shumë të lartë për të mos forcuar një rival direkt në La Liga.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu