
Peripecitë e një turisteje të huaj në Alpet Shqiptare janë bërë virale në rrjetet sociale, pasi ajo dokumentoi minutë pas minute betejën e saj për mbijetesë, pasi u kafshua nga një nepërkë me bri, gjarpri më helmues që gjendet në Shqipëri.
Amy, e cila jeton prej tre vitesh e gjysmë në Zelandën e Re, tregon se ngjarja ndodhi më 21 qershor, rreth orës 10:19, teksa po vraponte në një shteg malor pranë Valbonës.
View this post on Instagram
Menjëherë pas kafshimit, ajo filmoi gjarprin për t’ua treguar mjekëve, u ul në shteg dhe telefonoi numrin e emergjencës 112. Për shkak të terrenit të vështirë, ekipet e shpëtimit nuk arritën ta lokalizonin menjëherë.
Turistja kontaktoi më pas babanë e saj në Australi, i cili i kërkoi të dërgonte vendndodhjen përmes aplikacionit What3Words. Njëkohësisht, ajo u lidh edhe me pronarin e një bujtine në Shkodër, i cili komunikoi me autoritetet lokale dhe ndihmoi në orientimin e ambulancës drejt vendit ku ndodhej.
Pavarësisht dhimbjeve dhe ankthit, ajo vazhdoi të filmonte çdo moment të përjetimit të saj, madje duke ruajtur edhe sensin e humorit, gjë që ka prekur mijëra përdorues në rrjetet sociale.
Në rrëfimin e saj, Amy thekson se sinjali i telefonit celular dhe reagimi i shpejtë i banorëve vendas e autoriteteve ishin vendimtarë për shpëtimin e saj. Ajo u bën thirrje të gjithë turistëve që eksplorojnë zonat e thella malore të pajisen me mjete emergjence, të përdorin aplikacione për ndarjen e vendndodhjes dhe të mbajnë gjithmonë me vete një çantë të ndihmës së parë.
Fatmirësisht, turistja është tashmë jashtë rrezikut dhe ka zgjedhur ta kthejë këtë përvojë traumatike në një mesazh ndërgjegjësues për sigurinë gjatë aventurave në natyrë.






