
Evropa po përballet me një nga valët më të forta të të nxehtit të viteve të fundit, ndërsa temperaturat ekstreme kanë shënuar rekorde në disa vende. Italia ndodhet në kulmin e vapës afrikane, me parashikime që në disa zona termometri të kalojë 40 gradë Celsius, ndërsa në Alpe niveli i temperaturës zero ka arritur në rreth 5.000 metra lartësi.
Sipas autoriteteve italiane, 18 qytete vijojnë të jenë në alarm maksimal për shkak të temperaturave të larta, ndërsa spitalet kanë raportuar rritje të ndjeshme të pacientëve që paraqiten me probleme të lidhura me të nxehtin.
Në Milano dhe Romë temperaturat janë krahasuar me ato të zonave tropikale, duke qenë deri në 10 gradë mbi mesataren historike për këtë periudhë të vitit.
Ndërkohë, vala e të nxehtit ka goditur edhe pjesën tjetër të Evropës. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se mbi 1.300 persona kanë humbur jetën në Evropë gjatë javës së fundit për shkaqe të lidhura me temperaturat ekstreme.
Në Francë janë regjistruar rreth 1.000 vdekje më shumë se norma sezonale që nga 24 qershori, ndërsa në Gjermani është regjistruar nata më e nxehtë në historinë e matjeve meteorologjike, me temperaturat që në disa zona kanë arritur deri në 41.5°C.
Meteorologët parashikojnë se kulmi i vapës do të zgjasë deri të hënën, kur pritet që një front i ftohtë të sjellë stuhi të forta dhe ulje graduale të temperaturave në pjesë të Italisë dhe Evropës Perëndimore.






