Policia e Kosovës ka shoqëruar disa persona pas përfundimit të manifestimit të Vidovdanit në Gazimestan, rreth 10 kilometra nga Prishtina, ku çdo 28 qershor mblidhen serbë nga Kosova, Serbia dhe vende të tjera të rajonit për të përkujtuar Betejën e Kosovës të vitit 1389.

Për shkak të rëndësisë së aktivitetit, në zonë kishte masa të shtuara sigurie. Në hyrje të kompleksit, policia u shpërndau pjesëmarrësve një njoftim ku paralajmërohej se nuk do të tolerohej mbajtja apo shfaqja e simboleve që nxisin urrejtje ndëretnike, fetare ose politike dhe se shkelësit do të përballeshin me masa ligjore.

Gjatë aktivitetit, disa pjesëmarrës brohoritën slogane si “Kosova është Serbi” dhe kënduan këngë kushtuar Kosovës dhe Vidovdanit.

Lista Serbe deklaroi se disa pjesëtarë të komunitetit serb u shoqëruan në polici pa u paraqitur, sipas saj, dokumente me shkrim për arsyet e ndalimit. Partia tha se ka njoftuar përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ka kërkuar ndërhyrjen e tyre për lirimin e të ndaluarve.

Deri tani, autoritetet e Kosovës nuk kanë dhënë një reagim zyrtar për rastin.

Shënimi i Vidovdanit është shoqëruar edhe në vitet e kaluara me incidente dhe tensione. Vitin e kaluar, Policia e Kosovës shoqëroi 17 persona për shkak të dyshimeve për nxitje të urrejtjes dhe përdorim të veshjeve provokuese, ndërsa çështja e përdorimit të flamujve dhe simboleve serbe ka qenë vazhdimisht objekt debatesh mes autoriteteve dhe komunitetit serb.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu