
Lëvizja Vetëvendosje po shkon drejt një tjetër fitoreje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Të dhënat e fundit, të përditësuara në orën 20:44, tregojnë se Vetëvendosje kryeson me 43.09% të votave, duke siguruar deri tani 207,253 vota pas numërimit të 72.82% të vendvotimeve në nivel vendi.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.82% ose 104,943 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës mban vendin e tretë me 17.98% dhe 86,456 vota.
Sipas KQZ-së, deri tani janë numëruar 501,350 vota, ndërsa janë përpunuar 1,819 nga 2,498 vendvotime në të gjithë Kosovën.
Rezultatet tregojnë se epërsia e Vetëvendosjes është rritur gradualisht gjatë procesit të numërimit. Në fazat e para të numërimit partia e Albin Kurtit luhatej nga 38 deri në 41 për qind, ndërsa me shtimin e kutive të numëruara ka kaluar pragun e 43 për qind.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ruajtur rezultatin rreth 8 për qind, ndërsa Lista Serbe mbetet forca kryesore politike e komunitetit serb në Kosovë.
Rezultatet mbeten preliminare dhe pritet të ndryshojnë deri në përfundimin e plotë të numërimit, përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës.
Megjithatë, trendi aktual e vendos Vetëvendosjen si forcën e parë politike në vend dhe favoriten kryesore për formimin e qeverisë së ardhshme.






