Franca ka konfirmuar statusin e një prej favoriteve për fitimin e Kupës së Botës 2026, duke mposhtur bindshëm Norvegjinë me rezultatin 4-1 dhe duke mbyllur Grupin I në vendin e parë me tri fitore në tri ndeshje.

Protagonisti absolut i sfidës ishte Ousmane Dembélé, i cili realizoi një “hat-trick” brenda vetëm 32 minutave, duke regjistruar një nga paraqitjet më spektakolare të këtij Botërori.

Sulmuesi francez zhbllokoi sfidën në minutën e 7-të pas asistit të Kylian Mbappé, ndërsa shënoi sërish në minutën e 20-të, sërish me pasim vendimtar të kapitenit francez. Vetëm një minutë pasi Norvegjia ngushtoi rezultatin me Thelo Aasgaard, Dembélé kompletoi tripletën personale në minutën e 32-të, duke i dhënë Francës avantazhin 3-1 që në pjesën e parë.

Në minutat shtesë të takimit, Désiré Doué vulosi suksesin 4-1 pas një asisti nga Bradley Barcola.

Norvegjia, e cila kishte siguruar më herët kualifikimin, zgjodhi të aktivizojë një formacion me shumë ndryshime, duke lënë pushim edhe yllin e saj, Erling Haaland. Pavarësisht humbjes, nordikët kalojnë në fazën me eliminim direkt si skuadra e dytë e grupit.

Me këtë fitore, Franca e mbyll fazën e grupeve me maksimumin e pikëve dhe dërgon një sinjal të fortë për rivalët në garën për titullin botëror.

Në ndeshjen tjetër të Grupit I, Senegali shkatërroi Irakun me rezultatin 5-0. Skuadra afrikane e mbylli grupin në vendin e tretë dhe do të presë rezultatet e grupeve të tjera për të mësuar nëse do të kualifikohet në fazën e 1/16-ave si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu