Mbledhja e Këshillit të Ministrave këtë të premte u shoqërua nga protesta jashtë godinës së Kryeministrisë, ku një grup qytetarësh u mblodhën me flamuj kombëtarë, vuvuzela dhe thirrje për dorëheqjen e qeverisë.

Teksa ministrat dolën për të prezantuar vendimet e marra, protestuesit ndërhynë vazhdimisht me thirrje dhe zhurmë, duke i shoqëruar deklaratat e tyre me vuvuzela.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, iu përgjigj kërkesave të protestuesve duke theksuar se qeveria është e përqendruar te puna dhe objektivat për integrimin europian.

“Jemi në një proces që kërkon vëmendje maksimale. Është një punë e jashtëzakonshme që qeveria dhe administrata publike po bëjnë çdo ditë. Shoh që janë një numër qytetarësh që po protestojnë, por janë 850 mijë qytetarë që kanë zgjedhur Partinë Socialiste dhe Edi Ramën për drejtimin e vendit”, deklaroi Ibrahimaj.

Edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh se qeveria dëgjon shqetësimet e qytetarëve, por nuk sheh arsye për të ndërprerë mandatin që i është dhënë nga zgjedhësit.

“Ne duhet të respektojmë vullnetin e të gjithë qytetarëve. Shqipëria sot është më mirë se kurrë më parë, por niveli shumë i lartë i pritshmërive të qytetarëve nuk përputhet me realitetin. Kjo nuk justifikon hedhjen poshtë të gjithçkaje që është bërë në këto vite”, tha Gonxhja.

Ai shtoi se qeveria do të vijojë të analizojë dhe përmirësojë procesin e vendimmarrjes, por nuk mund të lërë përgjysmë punët dhe projektet e nisura.

Gjatë konferencës për mediat, Gonxhja komentoi edhe tarifat në plazhet publike të menaxhuara nga bashkitë. Sipas tij, në disa zona, veçanërisht në jug të vendit dhe në Ksamil, tarifat arrijnë deri në 1.000 lekë për shkak të kostove më të larta të mirëmbajtjes dhe mbrojtjes së plazheve nga erozioni.

Ndërkohë, organizatorët e protestës kanë paralajmëruar zhvillimin e një proteste kombëtare më 4 korrik, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të vijojë punën për realizimin e objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu