
Kuvendi i Shqipërisë përkujtoi këtë të premte 82-vjetorin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, në një ceremoni simbolike që solli një atmosferë ndryshe nga ajo e zakonshme e seancave parlamentare.
Për disa çaste, salla e Kuvendit u mbush me tingujt dhe vallet tradicionale shqiptare, ndërsa valltarë të veshur me kostume popullore interpretuan valle çame në nderim të viktimave dhe kujtesës historike të komunitetit çam.
Shefi i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ndau pamje nga ceremonia në rrjetet sociale.
“Kuvendi i Shqipërisë, përkujtojmë 82-vjetorin e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë”, shkroi Balla në postimin e tij.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të përkujtimit të një prej ngjarjeve më të dhimbshme të historisë së shqiptarëve të Çamërisë, duke përcjellë mesazhe për ruajtjen e kujtesës historike, identitetit kombëtar dhe respektit për viktimat.






