
Kryeministri Edi Rama deklaroi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është i pakthyeshëm, ndërsa komentoi edhe marrëveshjen me Italinë për emigrantët dhe protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, gjatë një interviste për agjencinë italiane Italpress.
Duke folur për rrugëtimin europian të Shqipërisë, Rama u shpreh optimist se asnjë zhvillim nuk mund ta ndalojë procesin e anëtarësimit.
“Siç thoshte Winston Churchill, nuk duhet humbur kurrë një krizë e mirë. Besoj se ka gjëra për të mësuar dhe për të reflektuar, por ndërkohë askush nuk mund ta ndalojë procesin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, tha ai.
Kryeministri komentoi edhe marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, duke thënë se debati politik rreth saj ishte i ekzagjeruar.
“U bë shumë zhurmë për diçka që, në fund të fundit, nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje e bërë me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje. Koha e humbur para se të arrihet në një qëndrim të përbashkët është problemi i vërtetë që duhet të adresojmë”, u shpreh Rama.
Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe protestave kundër projektit në Zvërnec, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Rama mohoi akuzat se qeveria ka dëmtuar zonën ose ka favorizuar interesa të caktuara.
“Nëse më akuzojnë se ua kam dorëzuar këto toka dikujt ose se kam dëmtuar një pjesë të bukur të bregdetit shqiptar, atëherë le të sjellin prova. Deri tani nuk është paraqitur asnjë provë”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, nuk është nënshkruar ende asnjë marrëveshje për projektin, pasi negociatat janë ende në zhvillim, ndërsa për një projekt tjetër në tokë private shteti nuk ka asnjë lidhje dhe procedurat për lejen e ndërtimit nuk kanë përfunduar.
Rama tha se i kupton qytetarët që kanë protestuar, por kritikoi mënyrën se si çështja është trajtuar në arenën ndërkombëtare.
“Fatkeqësisht, sot çështja ka shkuar përtej kësaj dhe njerëzit nuk po flasin më as për flamingot. Flamingot janë bërë një simbol i dobishëm për ata që duan ta çojnë këtë histori në skenën ndërkombëtare. Nëse në nivel lokal bëhet fjalë për një çështje që përfshin grupe të ndryshme të shoqërisë, në nivel ndërkombëtar ajo shndërrohet në një betejë kundër Donald Trumpit”, përfundoi kryeministri.






