Bilanci i dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën është rënduar ndjeshëm. Sipas të dhënave më të fundit, të paktën 188 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 1.500 të tjerë janë plagosur, teksa ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja.

Dy lëkundjet sizmike, me magnitudë 7.2 dhe 7.5, goditën vendin me vetëm pak sekonda diferencë. Sipas autoriteteve amerikane të sizmologjisë, tërmeti i dytë është më i fuqishmi që ka goditur Venezuelën që nga viti 1900.

Zona më e goditur mbetet shteti La Guaira, ku Organizata e Kombeve të Bashkuara raportoi shembjen e më shumë se 100 ndërtesave. Dëme të mëdha janë regjistruar edhe në kryeqytetin Caracas, ku banorë të shumtë mbetën të bllokuar në pallate dhe parkingje gjatë lëkundjeve.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa dhjetëra pasgoditje vazhdojnë të tronditin zonën, duke vështirësuar operacionet e shpëtimit.

Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka nisur mobilizimin për të ndihmuar Venezuelën. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar dërgimin e ekipeve të specializuara të kërkim-shpëtimit dhe një paketë ndihme financiare që kalon 250 milionë dollarë, ndërsa vende të Bashkimit Europian, Meksika, Kolumbia dhe organizata ndërkombëtare kanë premtuar gjithashtu ekipe shpëtimi, personel mjekësor dhe ndihma humanitare.

Autoritetet venezueliane vijojnë operacionet për gjetjen e të mbijetuarve, ndërsa mijëra banorë kanë mbetur pa strehë dhe po kalojnë natën në ambiente të hapura nga frika e shembjeve të tjera.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu