Djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka falënderuar publikisht kryeministrin Edi Rama për mbështetjen që i ka dhënë luftës së UÇK-së dhe ish-drejtuesve të saj që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Endrit Thaçi publikoi një foto nga takimi me Ramën në Tiranë, duke e vlerësuar kryeministrin shqiptar si një nga zërat që ka qëndruar “në anën e së vërtetës” edhe në momentet kur, sipas tij, shumë të tjerë kanë zgjedhur të heshtin.

Gjatë vizitës në Tiranë, Endrit Thaçi zhvilloi gjithashtu një takim me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Ky i fundit publikoi një foto nga takimi, duke shprehur shpresën që brenda një muaji ish-presidenti Hashim Thaçi të jetë sërish pranë familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Mesazhi i Endrit Thaçit vjen në një moment kur procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Hagës vijon të mbetet në qendër të debatit publik në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa mbështetësit e tyre kërkojnë njohjen e rolit të luftës çlirimtare dhe të kontributit të UÇK-së në çlirimin e Kosovës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu