Fundjava pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, teksa kryeministri Hristijan Mickoski do të zhvillojë takime me partnerët e koalicionit për të finalizuar rikonstruimin e kabinetit qeveritar.

Vëmendja është përqendruar te koalicioni shqiptar VLEN, i cili duhet të plotësojë dy poste ministrore të mbetura vakante pas largimit të Arben Fetait nga Ministria për Qeverisje të Mirë dhe Fatmir Limanit nga Ministria e Politikës Sociale dhe Demografisë. Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, deklaroi se vendimet për emrat e rinj do të merren gjatë takimeve të fundjavës mes liderëve të koalicionit dhe kryeministrit.

Një nga çështjet më të diskutuara mbetet e ardhmja e ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu. Prej javësh në mediat e Shkupit flitet për tensione dhe pakënaqësi brenda VLEN-it ndaj tij, ndërsa vetë Aliu ka shmangur përgjigjet e drejtpërdrejta për raportet me koalicionin, duke theksuar se vazhdon të jetë pjesë e VLEN-it.

Përveç partnerëve shqiptarë, lëvizje të mundshme priten edhe te partitë e tjera të koalicionit qeverisës. Mes emrave që përfliten janë ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, ministri i Kulturës Zoran Lutkov dhe zëvendëskryeministri Ivan Stoillkoviç, emri i të cilit është lidhur shpesh me debatet për ndikimin e “Botës Serbe” në rajon.

Megjithëse ende nuk ka vendime zyrtare, mediat në Shkup e kanë cilësuar të premten si një “Black Friday” politik, pasi për disa ministra mund të jetë dita e konfirmimit në detyrë, ndërsa për të tjerë dita e largimit nga qeveria.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu