
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e zëvendëskryeministrit të ngarkuar për Qeverisjen e Mirë, duke i shtuar pikëpyetjet mbi zhvillimet e fundit brenda koalicionit qeverisës në Shkup.
Lajmin e bëri të ditur vetë Fetai përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku njoftoi se vendimin e kishte dorëzuar pranë kryeministrit Hristijan Mickoski pas një reflektimi të thellë mbi rrethanat aktuale.
Në mesazhin e tij, Fetai vlerësoi punën e bërë gjatë dy viteve në qeveri në fushën e transparencës, llogaridhënies dhe forcimit të shtetit të së drejtës, duke pranuar se jo të gjitha objektivat janë arritur.
“A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt”, shkroi ai.
Fetai tha se largohet nga detyra me “kokën lart dhe ndërgjegje të pastër”, ndërsa nënvizoi se angazhimi i tij në jetën publike do të vazhdojë edhe jashtë institucioneve.
Dorëheqja është konfirmuar edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski, i cili deklaroi se dokumenti do të procedohet zyrtarisht dhe se gjatë muajit qershor pritet një rikonstruim i qeverisë.
Mickoski bëri të ditur se emri i pasuesit të Fetait do të përcaktohet pas konsultimeve me partnerët e koalicionit qeverisës.
Megjithëse as Fetai dhe as Mickoski nuk dhanë detaje mbi arsyet konkrete të largimit, dorëheqja vjen në prag të ndryshimeve të paralajmëruara në kabinetin qeveritar dhe ka nxitur spekulime për lëvizje të reja politike brenda shumicës qeverisëse në Maqedoninë e Veriut.






