
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 19 persona të cilët dyshohet se organizuan dhe nxitën bllokimin e aksit rrugor në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” gjatë protestës së zhvilluar më 14 qershor.
Sipas policisë, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë kryer veprimet hetimore që çuan në identifikimin e personave përgjegjës për bllokimin e qarkullimit në rrugën që të çon drejt Rinasit.
Të proceduarit do të hetohen në gjendje të lirë për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Policia bëri me dije se gjatë hetimeve janë sekuestruar edhe dy automjete, ndërsa puna vijon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në bllokimin e aksit rrugor.
Sipas autoriteteve, tubimi ishte njoftuar për t’u zhvilluar në sheshin “Skënderbej” dhe më pas para Kryeministrisë, nga ora 18:00 deri në 22:00. Por gjatë protestës, organizatorë dhe drejtues të saj kanë bërë thirrje për marshim në drejtim të Aeroportit të Rinasit, duke sjellë bllokimin e lëvizjes së mjeteve dhe qytetarëve në këtë segment rrugor.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.






