Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Endrit Shala, duke e dënuar me dy vjet burgim për veprën penale “Konflikt interesi”.

Vendimi u shpall nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani-Hajra. Sipas gjykatës, nuk janë provuar elementet e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, për të cilën Shala ishte akuzuar fillimisht, ndaj vepra është rikualifikuar si “Konflikt interesi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, më 30 maj 2019 Shala kishte nënshkruar vendimin për emërimin e kompanisë “Euro Inspekt” si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve në Kosovë. Prokuroria pretendon se kompania ishte në pronësi të Valdet Teneqes, baxhanakut të ish-ministrit, duke i mundësuar këtij të fundit përfitime financiare prej mbi 732 mijë eurosh.

Gjykata vendosi që dënimi me burgim të ekzekutohet pasi aktgjykimi të marrë formë të prerë. Shala është urdhëruar gjithashtu të paguajë 100 euro paushall gjyqësor dhe 100 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu