
Prokuroria e Posaçme ka zhbllokuar llogaritë bankare të kompanisë “Albanian Land Development”, e përfshirë në projektin e debatueshëm të investimit në Zvërnec, duke liruar fondet prej 195 milionë eurosh të destinuara për investimin.
Vendimi është marrë nga prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Elida Kaçkini, të cilët kanë hequr masën e sekuestros ndaj llogarive të administratorit të kompanisë, Redi Struga. Fondet ishin transferuar në Shqipëri për realizimin e projektit turistik në zonë.
“Albanian Land Development” zotërohet nga sipërmarrësit nga Katari, vëllezërit Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, ndërsa administrator i saj është Redi Struga.
Sekuestroja ishte vendosur pas dyshimeve për përvetësim të paligjshëm të pronave në Zvërnec, por SPAK ka ndryshuar qëndrim brenda pak orësh, duke lejuar sërish disponimin e fondeve nga kompania.
Çështja mori vëmendje të madhe publike pas përplasjeve mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private gjatë fundjavës në Zvërnec. Paralelisht me hetimet për incidentet, SPAK po verifikon edhe procedurat e përfitimit të pronave ku pritet të zhvillohet investimi.
Pavarësisht zhbllokimit të llogarive, Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se hetimet për këtë çështje vijojnë dhe dosja ndodhet ende në fazë proceduriale.






