
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka pranuar pjesërisht kërkesën e 38 deputetëve të opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare, duke rrëzuar kërkesën për çështjen McGonigal dhe duke detyruar Kuvendin të ngrejë komision hetimor për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Në vendimin e shpallur këtë të hënë, Gjykata vendosi se Kuvendi ka detyrimin kushtetues të ngrejë komisionin hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.
Për këtë arsye, Kushtetuesja shfuqizoi vendimin nr. 78/2025 të Kuvendit, i cili kishte refuzuar ngritjen e këtij komisioni, duke e cilësuar atë të papajtueshëm me Kushtetutën.
Ndërkohë, Gjykata rrëzoi kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor mbi verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.
Sipas arsyetimit paraprak, kërkesa nuk plotësonte kriteret kushtetuese të nevojshme për ngritjen e një komisioni hetimor. Gjykata nuk arriti shumicën e nevojshme për të vlerësuar ekzistencën e kriterit “çështje e veçantë”, ndërsa gjyqtarët kishin qëndrime të ndryshme lidhur me indiciet dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës, duke njohur të drejtën e opozitës për hetim parlamentar mbi zgjedhjet e vitit 2025, por jo për çështjen McGonigal.
Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.






