
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Berat, ku vlerësoi transformimin e qytetit ndër vite dhe mbrojti investimet strategjike në turizëm, përfshirë projektin në Zvërnec.
Rama e cilësoi Beratin si një nga shembujt më domethënës të transformimit të Shqipërisë, duke kujtuar se në fillimet e pluralizmit rruga që lidhte qytetin me Lushnjën ishte në gjendje të rëndë, ndërsa socialistët, sipas tij, përndiqeshin për bindjet politike.
Duke iu referuar debatit për Zvërnecin, kryeministri deklaroi se zona vazhdon të jetë e mbrojtur dhe se askush nuk ka cenuar biodiversitetin apo statusin e saj mjedisor. Sipas tij, debati i vërtetë lidhet me modelin e zhvillimit ekonomik dhe turistik të Shqipërisë.
Rama tha se vendi duhet të kalojë nga turizmi masiv drejt turizmit cilësor, pasi vetëm kështu mund të rriten të ardhurat, pagat, pensionet dhe prodhimi i brendshëm bruto. Ai argumentoi se investime si ai në Zvërnec sjellin përfitime të gjera ekonomike, duke aktivizuar bujqësinë, blegtorinë, transportin dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se projekti ka sjellë rritje të ndjeshme të vlerës së pronave në zonë dhe hodhi poshtë pretendimet se investime të tilla cenojnë interesat kombëtare.
Në fjalën e tij, Rama mbrojti edhe bilancin e qeverisë në mbrojtjen e mjedisit, duke kujtuar se shpallja e Parkut Kombëtar të Vjosës ishte pjesë e programit të Partisë Socialiste.






