Temperaturat e larta të verës nuk janë të rrezikshme vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët shtëpiake, veçanërisht për qentë, të cilët mund të përballen me dehidratim, goditje nga të nxehtit dhe probleme serioze shëndetësore.

Ekspertët për kujdesin ndaj kafshëve paralajmërojnë se qentë fillojnë të vuajnë nga vapa që në temperaturat mbi 20 gradë Celsius, pasi ata nuk djersijnë si njerëzit dhe rregullojnë temperaturën e trupit kryesisht përmes frymëmarrjes.

Një nga rekomandimet kryesore është shmangia e shëtitjeve gjatë orëve më të nxehta të ditës, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 16:00. Veterinerët këshillojnë që daljet të planifikohen herët në mëngjes ose në mbrëmje, kur temperaturat janë më të ulëta.

Po ashtu, pronarët duhet të tregojnë kujdes me asfaltin dhe sipërfaqet e nxehta, të cilat mund të shkaktojnë djegie në putrat e kafshëve. Shëtitjet në bar apo në zona me hije konsiderohen alternativa më të sigurta.

Hidratimi mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm gjatë verës. Kafshët duhet të kenë gjithmonë akses në ujë të freskët, ndërsa gjatë shëtitjeve rekomandohet mbajtja e një ene portative për ujë.

Ekspertët përsërisin gjithashtu një nga paralajmërimet më të rëndësishme: qentë nuk duhet të lihen asnjëherë brenda automjeteve të parkuara, qoftë edhe për pak minuta. Temperatura brenda makinës mund të rritet shumë shpejt dhe të bëhet fatale.

Më të rrezikuar janë qentë brakicefalë, si bulldogët, pugët apo racat e tjera me hundë të shkurtër, të cilët kanë vështirësi më të mëdha në frymëmarrje gjatë vapës.

Veterinerët rekomandojnë edhe përdorimin e rregullt të preparateve kundër parazitëve për të shmangur sëmundjet që transmetohen nga mushkonjat, rriqrat dhe insekte të tjera.

Një tjetër këshillë e rëndësishme është që qentë të mos qethen plotësisht gjatë verës. Leshi i tyre vepron si izolues natyror dhe i mbron si nga nxehtësia ashtu edhe nga rrezet e forta të diellit.

Specialistët theksojnë se kujdesi i shtuar gjatë muajve të verës mund të shmangë situata të rënda shëndetësore dhe të garantojë mirëqenien e kafshëve shtëpiake.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu