
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim një delegacion bipartizan të Kongresit Amerikan, të përbërë nga kongresisti republikan Keith Self dhe kongresisti demokrat Suhas Subramanyam.
Gjatë takimit u diskutua për çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe stabilitetit në rajon, ndërsa Kurti falënderoi kongresistët amerikanë për mbështetjen ndaj aspiratës së Kosovës për anëtarësim në NATO.
Sipas njoftimit zyrtar, Kurti veçoi rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, të cilat mbështesin integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike dhe vazhdimin e pranisë amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it.
Kryeministri në detyrë theksoi rëndësinë e harmonizimit të politikës së jashtme të Kosovës me aleatët perëndimorë.
Në takim u diskutua gjithashtu për investimet në mbrojtje, zhvillimin teknologjik, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me SHBA-në, si dhe për reformat në sistemin arsimor.
Kurti foli edhe për vizitën që kongresistët zhvilluan në Luginën e Preshevës, duke deklaruar se pakicat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të gëzojnë të drejta të barabarta dhe të krahasueshme.
Keith Self mban postin e kryetarit të Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa Suhas Subramanyam është anëtar i Nënkomisionit për Çështje Ushtarake dhe të Jashtme.






