
Kriza te Milani duket se po thellohet çdo ditë e më shumë pas largimit të Masimiliano Alegrit dhe drejtorit sportiv Igli Tare, ndërsa klubi kuqezi po has vështirësi edhe në gjetjen e trajnerit të ri.
Sipas raportimeve nga Spanja, emri i preferuar i drejtuesve të Milanit për stolin është ai i trajnerit bask Andoni Iraola, i cili bëri paraqitje mbresëlënëse me Bornmuthin në Premier Ligë.
Megjithatë, tekniku spanjoll po mendon seriozisht ta refuzojë ofertën e kuqezinjve, pavarësisht insistimit të drejtuesve të klubit italian.
Arsyeja kryesore lidhet me situatën e paqartë sportive dhe organizative te Milani, ku pritet një revolucion total pas dështimit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve.
Sipas mediave spanjolle, Iraola nuk është i bindur të marrë drejtimin e një skuadre që duhet të rindërtohet nga e para, si në aspektin teknik ashtu edhe në organizimin e klubit.
Në garë për trajnerin spanjoll ka hyrë edhe Kristal Palas, skuadra që e mbylli sezonin në vendin e 15 në Premier Ligë dhe që po përgatitet të ndryshojë trajnerin.
Klubi anglez i ka premtuar Iraolës stabilitet, projekt afatgjatë dhe një buxhet të rëndësishëm për merkaton verore.
Një tjetër faktor që po ndikon në vendimin e trajnerit është edhe dëshira e familjes së tij për të qëndruar në Angli.
Raportimet theksojnë se Iraola po anon më shumë drejt vazhdimit të karrierës në Premier Ligë, ndërsa refuzimi i mundshëm ndaj Milanit shihet si një tjetër sinjal i rënies së peshës së klubit italian në futbollin europian.






