
Qeveria gjermane ka riafirmuar mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se procesi i anëtarësimit do të vijojë të bazohet te meritokracia dhe kriteret e Kopenhagenit.
Deklarata vjen pas interesimit të A2 CNN mbi mundësinë e një takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet më 5 qershor në Tivar të Malit të Zi.
Në përgjigjen e saj, qeveria federale gjermane nuk e konfirmoi, por as nuk e mohoi mundësinë e një takimi mes Ramës dhe Merz.
“Ne përgjithësisht e shpallim kalendarin e kancelarit një javë më parë, gjatë konferencës së qeverisë”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane.
Ndërkohë, Berlini konfirmoi se mbetet fuqimisht i angazhuar ndaj procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.
“Gjermania është fort e përkushtuar për zgjerimin, çka sigurisht vlen edhe për Shqipërinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në reagimin e qeverisë gjermane.
Sipas Berlinit, vendet e rajonit duhet të anëtarësohen në Bashkimin Europian mbi bazën e meritës dhe përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit.
Qeveria gjermane theksoi gjithashtu se tema e zgjerimit po diskutohet aktualisht mes vendeve anëtare të BE-së dhe pritet të jetë pjesë e axhendës në samitin e ardhshëm për Ballkanin Perëndimor.
Deklarata vjen në një moment kur Shqipëria ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve negociues me Bashkimin Europian, pas Konferencës së 8-të Ndërqeveritare të zhvilluar në Bruksel.






