Partia Demokratike pritet të zhvillojë sot një mbledhje të rëndësishme të Kryesisë, ku do të diskutohen dhe miratohen ndryshimet në statutin e partisë, vetëm pak ditë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar të 30 majit.

Mbledhja do të nisë në orën 19:00 në selinë blu dhe vjen në një moment delikat për demokratët, pas zgjedhjeve të brendshme ku Sali Berisha u rikonfirmua kryetar pa garë.

Sipas informacioneve paraprake, ndryshimet statutore nuk do të prekin të ashtuquajturin “Neni Basha”, që detyron kryetarin e PD-së të japë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve.

Ky nen u vendos pas largimit të Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë, por nuk u respektua nga Berisha pas zgjedhjeve të 11 majit.

Megjithëse brenda PD-së ka pasur kritika për mënyrën si janë zhvilluar primaret, burime nga selia blu bëjnë me dije se edhe ky mekanizëm nuk do të hiqet nga statuti.

Ndryshimet pritet të prekin kryesisht kuotat e përfaqësimit për kategori të caktuara në listat e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkish, si dhe disa çështje organizative të funksionimit të partisë.

Vula përfundimtare e ndryshimeve do të jepet në Kuvendin Kombëtar të 30 majit, ku delegatët do të votojnë edhe për përbërjen e Këshillit të Ri Kombëtar të Partisë Demokratike.

Mbledhja e sotme zhvillohet pas procesit të zgjedhjeve të brendshme në PD, ku Berisha ishte kandidati i vetëm në garë dhe u rizgjodh me 37 mijë e 341 vota.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu