
Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme të reja ndaj Iranit jugor, duke goditur baza raketore dhe mjete detare iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, një prej pikave më strategjike për tregtinë globale të naftës.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) deklaroi se operacioni u krye “në vetëmbrojtje” për të mbrojtur trupat amerikane nga kërcënimet e forcave iraniane.
Sipas zëdhënësit të CENTCOM, kapitenit Tim Hawkins, objektiv i sulmeve ishte një zonë pranë Bandar Abbas, porti kryesor ushtarak iranian në jug të vendit.
Mediat shtetërore iraniane raportuan më herët për shpërthime në Bandar Abbas, ndërsa Garda Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se kishte rrëzuar një dron amerikan dhe kishte qëlluar ndaj një avioni luftarak dhe një tjetër droni që kishin hyrë në hapësirën ajrore iraniane.
Teherani paralajmëroi gjithashtu se ka të drejtën “legjitime dhe të padiskutueshme” për t’iu përgjigjur çdo shkeljeje të armëpushimit nga SHBA.
Pavarësisht tensioneve, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit mbetet ende e mundur.
Rubio tha se negociatat po vazhdojnë dhe se Presidenti Donald Trump dëshiron një marrëveshje “të mirë dhe kuptimplotë”, ose në të kundërt “nuk do të ketë marrëveshje fare”.
Ai theksoi se SHBA nuk do të lejojë mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
“Ngushtica duhet të qëndrojë e hapur. Ajo do të qëndrojë e hapur në një mënyrë ose në një tjetër”, deklaroi Rubio.
Nga ana tjetër, lideri suprem iranian Mojtaba Khamenei paralajmëroi se Lindja e Mesme “nuk do të shërbejë më si mburojë për bazat amerikane”, duke akuzuar SHBA-në për humbje të ndikimit në rajon.
Sipas raportimeve amerikane, drafti i marrëveshjes që po diskutohet përfshin zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë, rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe negociata të mëtejshme për programin bërthamor iranian.
Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) vlerëson se Irani zotëron rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60%, shumë pranë nivelit të nevojshëm për prodhimin e armëve bërthamore.
Konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit shpërtheu pas sulmeve të 28 shkurtit ndaj objektivave iraniane, duke përfshirë më pas gjithë Lindjen e Mesme dhe duke shkaktuar tronditje në tregjet globale të naftës.






