Një tjetër skemë mashtrimi online është zbuluar nga Policia e Shtetit. Përmes SMS-ve me linqe false në emër të Postës Shqiptare, dy shtetas të huaj dyshohet se vidhnin të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë. Një francez është ndaluar, ndërsa një gjerman është shpallur në kërkim.

Policia e Shtetit ka goditur një skemë mashtrimi kompjuterik që vepronte përmes faqeve të falsifikuara të Posta Shqiptare, duke u dërguar qytetarëve SMS me linqe mashtruese për të marrë të dhënat e tyre personale dhe bankare.

Operacioni i koduar “Posta e Rreme 2” u finalizua nga Strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë.

Në kuadër të këtij operacioni u ndalua shtetasi francez Z. K., 22 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi gjerman T. M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë aktivitet kriminal.

Sipas policisë, të dyshuarit kishin krijuar faqe të rreme që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare dhe, përmes SMS-ve me linqe false, synonin të përfitonin në mënyrë të paligjshme para nga llogaritë bankare të qytetarëve.

Gjatë operacionit u sekuestruan telefona celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente dhe sende të tjera që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”.

Policia u bëri apel qytetarëve të mos klikojnë në linqe të dyshimta të dërguara me SMS apo email, të mos japin të dhëna bankare në faqe të paverifikuara dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar mashtrimi online.

Sipas autoriteteve, në raste të mëparshme disa qytetarë kanë rënë pre e kësaj skeme, duke humbur shuma parash pasi kanë plotësuar të dhënat e tyre bankare në faqet e falsifikuara.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu