
Momente tensioni janë regjistruar pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, pasi gazetarë dhe punonjës të mediave raportuan se kanë dëgjuar të shtëna armësh në zonë.
Pamjet e publikuara nga korrespondentja e ABC News, Selina Wang, tregojnë momentin kur gazetarët urdhërohen të largohen me vrap dhe të futen në sallën e konferencave për siguri, ndërsa në sfond dëgjohen disa shpërthime ose krisma të forta.
“Na thanë të vraponim drejt sallës së konferencave ku po qëndrojmë aktualisht”, shkroi ajo në rrjetin social X.
Deri tani nuk është e qartë se nga kanë ardhur të shtënat apo nëse ekziston ende një kërcënim aktiv në zonë.
Shërbimi Sekret Amerikan konfirmoi se po heton raportimet për të shtëna pranë kryqëzimit të rrugëve 17th Street dhe Pennsylvania Avenue NW, shumë pranë kompleksit të Shtëpisë së Bardhë.
Zëdhënësi i Secret Service, Anthony Guglielmi, deklaroi se autoritetet janë duke verifikuar informacionet dhe po punojnë me efektivët në terren për të kuptuar çfarë ka ndodhur.
Ngjarja shkaktoi alarm të menjëhershëm në zonë, ndërsa policia dhe agjentët e sigurisë u panë duke vrapuar në lëndinën veriore të Shtëpisë së Bardhë.






