
Një gjykatë apeli në Ankara ka vendosur të anulojë kongresin e vitit 2023 të Partisë Popullore Republikane (CHP), duke rrëzuar nga drejtimi i opozitës kryesore turke Ozgur Ozel dhe duke rikthyer në krye ish-liderin Kemal Kilicdaroglu.
Vendimi konsiderohet një tjetër goditje për opozitën turke, e cila prej muajsh po përballet me procese gjyqësore dhe hetime ndaj drejtuesve dhe zyrtarëve të saj.
Gjykata argumentoi se kongresi ku Ozel u zgjodh kryetar ishte i pavlefshëm për shkak të pretendimeve për parregullsi dhe keqmenaxhim gjatë procesit zgjedhor të brendshëm.
Si pasojë e vendimit, Ozgur Ozel dhe anëtarët e bordit drejtues pezullohen nga detyra, ndërsa drejtimi i partisë kalon përkohësisht te Kemal Kilicdaroglu dhe ekipi i mëparshëm drejtues.
Vendimi ka shkaktuar tensione në selinë e CHP-së në Ankara, ku janë mbledhur qindra mbështetës të opozitës, ndërsa policia ka vendosur barriera sigurie rreth godinës.
Ozel reagoi menjëherë pas vendimit me një mesazh në rrjetet sociale.
“Nuk ju premtoj një rrugë drejt pushtetit të mbuluar me trëndafila. Ju premtoj qëndresë, dinjitet, guxim dhe luftë”, shkroi ai.
Ndërkohë, Kilicdaroglu u bëri thirrje mbështetësve të ruajnë qetësinë, duke deklaruar se CHP është “një parti e madhe që do t’i zgjidhë vetë problemet e saj”.
Zhvillimi vjen në një moment kritik për opozitën turke, ndërsa rivali kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdogan, kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu, ndodhet në burg dhe po përballet me akuza për korrupsion.
Shumë analistë dhe vëzhgues politikë në Turqi i konsiderojnë proceset gjyqësore ndaj CHP-së si të motivuara politikisht, me synimin për të dobësuar opozitën para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.






