Kinematografia shqiptare është në zi. Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare aktori i njohur Birçe Hasko, një nga figurat më të dashura dhe më të vlerësuara të teatrit dhe filmit shqiptar.

Birçe Hasko do të mbahet mend për interpretimet e tij të veçanta, sidomos për personazhet popullore dhe komike të jugut, të cilat i solli me mjeshtëri në skenë dhe ekran për dekada me radhë.

Ai lindi më 15 mars 1942 në Dukat të Vlorës. Fillimisht punoi si mësues dhe drejtor shkolle në disa zona të jugut të vendit, ndërsa më pas ndoqi studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.

Pas diplomimit, Hasko u bë pjesë e Akademisë së Arteve si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe më vonë shërbeu edhe si dekan i Fakultetit të Artit Skenik.

Karriera e tij artistike përfshin dhjetëra role të paharrueshme në teatër dhe kinematografi.

Mes roleve më të njohura janë interpretimet në filmat:
“Përrallë nga e kaluara”, “Njeriu me top”, “Koncert në vitin 1936”, “Radiostacioni”, “Skëterrë 43”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Parullat”, “Tirana viti 0” dhe shumë prodhime të tjera ikonike të ekranit shqiptar.

Në teatër spikati me role si Milo Tafani te “Shi në plazh”, Abaz Kola te “Shtëpia me dy porta” dhe Shazo te “Familja e peshkatarit”.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, Birçe Hasko është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Ndarja nga jeta e aktorit lë një boshllëk të madh në kulturën dhe kinematografinë shqiptare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu