Raúl Castro dhe vëllai i tij Fidel Castro, Havana dhjetor 1996.

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza penale ndaj ish-liderit kuban Raúl Castro për vrasje dhe komplot për vrasjen e shtetasve amerikanë, lidhur me rrëzimin e dy avionëve civilë në vitin 1996 mes Kubës dhe Floridës.

Departamenti amerikan i Drejtësisë akuzon Castron dhe pesë persona të tjerë për rrëzimin e avionëve të grupit kubano-amerikan “Brothers to the Rescue”, ku humbën jetën katër persona, mes tyre tre shtetas amerikanë.

Në atë kohë, Raúl Castro ishte shef i forcave të armatosura kubane dhe ngjarja shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare.

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i SHBA-së, Todd Blanche, deklaroi në Miami se Castro përballet me akuza për shkatërrim avionësh dhe katër akuza individuale për vrasje.

“SHBA dhe presidenti Trump nuk do t’i harrojnë qytetarët e tyre”, deklaroi Blanche.

Akuzat mund të çojnë deri në burgim të përjetshëm ose dënim me vdekje, sipas ligjit amerikan.

Vendimi shihet si një tjetër përshkallëzim i presionit të administratës Trump ndaj regjimit komunist kuban, në një kohë kur Kuba po përballet me krizë ekonomike, mungesa ushqimore dhe ndërprerje energjie.

Presidenti kuban Miguel Díaz-Canel i quajti akuzat “manovër politike pa bazë ligjore”, ndërsa akuzoi Uashingtonin se po përpiqet të justifikojë agresionin ndaj Kubës.

Sipas autoriteteve kubane, avionët u rrëzuan në kuadër të “vetëmbrojtjes legjitime” brenda ujërave territoriale të vendit.

Raúl Castro, tashmë 94 vjeç, mbetet një figurë simbolike e revolucionit kuban dhe vëllai i liderit historik Fidel Castro. Edhe pse është larguar prej vitesh nga pushteti aktiv, ai vazhdon të ketë ndikim në jetën politike të Kubës.

Ndërkohë, administrata Trump ka paralajmëruar një linjë më të ashpër ndaj Havanës, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, akuzoi ushtrinë kubane për kontrollin e ekonomisë dhe krizën energjetike në ishull.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu