
Debate për ndotjen dhe kanalizimet në Tiranë janë zhvilluar në Kuvend mes deputetit Erion Braçe dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Braçe ngriti alarmin për situatën mjedisore në kryeqytet, duke deklaruar se Tirana po hyn në muajt më problematikë për shkak të temperaturave të larta, mungesës së reshjeve dhe ndotjes së lumenjve.
“Tirana po hyn në javën dhe muajt ku qelbet erë”, deklaroi Braçe nga foltorja e Kuvendit.
Deputeti socialist tha se sipas një shkrese të UKT-së, ujërat e ndotura derdhen në lumin e Tiranës, Lanë dhe me gjasë edhe në Erzen, duke paralajmëruar pasoja për mjedisin dhe shëndetin publik.
Braçe kritikoi gjithashtu ritmin e ndërtimeve në kryeqytet, duke theksuar se infrastruktura aktuale nuk po përballon zhvillimin urban.
“Asnjë metër volum i ri në rrjet s’po shtohet, asnjë impiant për përpunimin e ujërave nuk është ndërtuar për të shoqëruar ndërtimet e reja”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, ministri Enea Karakaçi pranoi se projekti për kanalizimet ka pasur probleme dhe vonesa të shumta për shkak të kontraktorëve.
Sipas tij, projekti financohet me një hua prej rreth 61 milionë eurosh nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe parashikon ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Kashar, me kapacitet mbi 94 mijë metra kub në ditë.
Karakaçi sqaroi se projekti kishte nisur para vitit 2016, por u shty disa herë dhe kontrata u ndërpre pas auditimeve të Ministrisë së Infrastrukturës.
Ministri tha se tashmë është përfunduar rishikimi teknik dhe pritet të nisë procedura e re konkurruese për zbatimin e projektit.






