Presidenti kinez Xi Jinping po shfaqet gjithnjë e më shumë si figura qendrore e diplomacisë globale, pasi priti brenda pak ditësh në Pekin si presidentin rus Vladimir Putin, ashtu edhe presidentin amerikan Donald Trump.

Vizitat e dy liderëve, të shoqëruara me ceremoni madhështore shtetërore, janë interpretuar si një demonstrim force dhe ndikimi nga Kina, e cila synon të tregojë se tashmë është një fuqi që flet me të gjitha palët dhe që nuk varet nga askush.

Sipas analistëve, Pekini po përfiton nga konfliktet e zgjatura që kanë dobësuar si Moskën, ashtu edhe Uashingtonin. Rusia vazhdon të mbetet e izoluar për shkak të luftës në Ukrainë, ndërsa SHBA përballet me krizën në Lindjen e Mesme dhe pasojat politike të saj.

Në takimin me Xi Jinping, Vladimir Putin nënshkroi mbi 20 marrëveshje për tregtinë dhe teknologjinë, megjithatë Kina nuk i dha ende miratimin gazsjellësit të madh që Moska kërkon prej vitesh, duke treguar se raporti mes dy vendeve po bëhet gjithnjë e më i pabarabartë në favor të Pekinit.

Nga ana tjetër, edhe Donald Trump zhvilloi bisedime me Xi, ndërsa Kina shihet tashmë si një superfuqi ekonomike me ndikim të madh në zinxhirët globalë të prodhimit dhe në tregun e mineraleve të rralla.

Media britanike BBC vlerëson se vetëm pak vite më parë Kina dukej e izoluar ndërkombëtarisht për shkak të pandemisë, tensioneve me Perëndimin dhe kritikave për Xinjiangun e Hong Kongun. Por sot, Pekini është kthyer në një qendër të domosdoshme të diplomacisë dhe tregtisë botërore.

Megjithatë, analistët theksojnë se Kina vazhdon të ecë në një “litar diplomatik”, pasi kërkon fundin e konflikteve në Lindjen e Mesme, por shmang kritikat ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Në deklaratat e përbashkëta, Xi dhe Putin sulmuan ndërhyrjet ushtarake dhe ndryshimet e regjimeve nga jashtë, ndërsa Kina vazhdon të mbajë një qëndrim të kujdesshëm për konfliktin ukrainas.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu