Mes pasigurive globale të shkaktuara nga lufta në Iran dhe frikës për një krizë të re ekonomike, Turqia po përpiqet të shfaqet si një “ishull stabiliteti” për kapitalin ndërkombëtar.

Qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdoğan ka miratuar një paketë të gjerë lehtësimesh fiskale dhe stimujsh ekonomikë për të tërhequr investitorë, kompani dhe pasuri nga jashtë.

Paketa parashikon përjashtim 20-vjeçar nga tatimi mbi të ardhurat për fitimet e realizuara jashtë vendit nga individë dhe kompani që transferojnë kapitalin e tyre në Turqi deri më 31 korrik 2027.

Përfitimet përfshijnë edhe ulje drastike të tatimit për trashëgimi dhe dhurata, ndërsa pasuritë e padeklaruara më parë mund të legalizohen pa pasoja penale nëse investohen në obligacione shtetërore apo instrumente të tjera financiare vendase.

Qeveria turke po synon gjithashtu të rigjallërojë eksportet përmes uljes së tatimit mbi fitimin. Për eksportuesit prodhues, norma zbret nga 25% në vetëm 9%, ndërsa për eksportuesit e tjerë në 14%.

Një tjetër objektiv strategjik është kthimi i Stambollit në një qendër financiare globale, sipas modelit të Singaporit dhe Hong Kongut.

Kompanitë që zhvendosin selitë rajonale në Stamboll do të përfitojnë gjithashtu përjashtime të plota nga taksat për 20 vite.

Për të ulur burokracinë, Ankaraja planifikon krijimin e një platforme të vetme digjitale që do të përshpejtojë të gjitha procedurat, nga hapja e bizneseve deri te lejet e qëndrimit dhe të punës.

Erdoğan deklaroi se Turqia nuk është më thjesht një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, por një “nyje e pazëvendësueshme” për energjinë dhe tregtinë globale.

Megjithatë, ekonomistët mbeten skeptikë. Eksperti turk Emre Şirin e cilësoi paketën si një përpjekje të dëshpëruar për të sjellë “para të freskëta” në ekonomi.

Sipas tij, investimet e huaja direkte po tkurren, ndërsa shumë kompani vendase po falimentojnë ose po largohen nga vendi.

Kritikët paralajmërojnë gjithashtu se verifikimi i kufizuar i origjinës së pasurive mund të hapë rrugë për hyrjen e kapitalit të dyshimtë dhe rrjedhave kriminale.

Turqia ndodhet prej gjashtë vitesh në krizë ekonomike. Inflacioni zyrtar aktual është mbi 32%, ndërsa ekonomistët e pavarur pretendojnë se niveli real mund të kalojë 55%.

Pavarësisht ambicieve të Ankarasë, shumë analistë theksojnë se pa reforma të thella në shtetin ligjor, lirinë e medias dhe pavarësinë e institucioneve, Turqia do ta ketë të vështirë të bindë investitorët ndërkombëtarë afatgjatë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu