Autoritetet spanjolle kanë konfirmuar një rast të ri me hantavirus mes pasagjerëve të evakuuar nga anija turistike MV Hondius, ndërsa frika për përhapjen e virusit ka vënë në alarm disa vende europiane.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri tani janë identifikuar 11 raste, 9 prej tyre të konfirmuara, si dhe 3 viktima mes pasagjerëve të anijes.

Rasti i fundit është konfirmuar tek një nga pasagjerët spanjollë të karantinuar në spitalin ushtarak Gómez Ulla në Madrid.

Ministria spanjolle e Shëndetësisë bëri me dije se pacienti ka temperaturë të lehtë dhe simptoma të moderuara respiratore, por gjendja e tij paraqitet stabël.

Ndërkohë, 13 pasagjerë të tjerë spanjollë kanë rezultuar negativë.

Edhe Shtetet e Bashkuara raportuan se një pasagjer kishte simptoma të lehta dhe një tjetër kishte rezultuar pozitiv në testin PCR për virusin Andes, por testi i dytë doli negativ.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se aktualisht “nuk ka shenja” të një shpërthimi më të madh të virusit.

Në Holandë, 12 punonjës të spitalit universitar Radboudumc në Nijmegen janë futur në karantinë parandaluese pasi nuk ndoqën protokollet e duhura gjatë trajtimit të një pacienti me hantavirus.

Sipas spitalit, gabimet ndodhën gjatë marrjes së mostrave të gjakut dhe eliminimit të urinës së pacientit.

Punonjësit do të qëndrojnë në izolim për 6 javë, edhe pse rreziku i infektimit konsiderohet i ulët.

Anija MV Hondius është nisur drejt Roterdamit, ku do t’i nënshtrohet procedurave të dezinfektimit.

Hantavirusi është një virus i rrallë që zakonisht përhapet nga brejtësit. Aktualisht nuk ekziston vaksinë apo trajtim specifik për të.

Megjithatë, autoritetet shëndetësore kanë theksuar se rreziku për publikun mbetet i ulët dhe nuk ka krahasime me pandeminë COVID-19.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu