Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste  Taulant Balla ka sulmuar ashpër opozitën gjatë mbledhjes së Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, duke i akuzuar se luten çdo ditë që Shqipëria të dështojë në procesin e integrimit europian.

Gjatë seancës dëgjimore me kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Balla deklaroi se objektivi i qeverisë është mbyllja e negociatave brenda Krishtlindjeve të vitit 2027 dhe përgatitja e vendit për të pasur kandidatët e parë shqiptarë për eurodeputetë në zgjedhjet europiane të vitit 2029.

“Shqipëria duhet të jetë dhe do të jetë anëtare e Bashkimit Europian”, deklaroi ai.

Balla vlerësoi punën e ekipit negociator dhe tha se Shqipëria ka shënuar progres rekord në raport me vendet e tjera të rajonit.

Ai kritikoi opozitën për, sipas tij, mungesë serioziteti dhe moslexim të ligjeve që paraqiten në Kuvend për përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian.

“Disa nga ju e kanë mendjen vetëm të marrin fjalën për të rrokanisur kokat e të tjerëve”, u shpreh deputeti socialist.

Në vijim, Balla ironizoi deputetët e opozitës duke i quajtur “dashnorët e integrimit”, ndërsa i ftoi të votonin reformat dhe ligjet që lidhen me procesin europian.

“Jepe një votë, vendose edhe ti një tullë për integrimin”, tha ai.

Kreu i grupit parlamentar të PS iu referua edhe vlerësimeve pozitive nga zyrtarët europianë për progresin e Shqipërisë, duke përmendur komisioneren për zgjerimin Marta Kos dhe raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian Andreas Schieder.

Sipas Ballës, Shqipëria konsiderohet “lokomotivë” e procesit të integrimit në rajon.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu