Një shtetas amerikan dhe një shtetase franceze kanë rezultuar pozitivë me hantavirus pasi u larguan nga kroçera MV Hondius, ku shpërtheu virusi vdekjeprurës që ka shkaktuar alarm ndërkombëtar.

Autoritetet amerikane konfirmuan se edhe një tjetër pasagjer amerikan ka shfaqur simptoma të lehta, ndërsa të dy u transportuan në “njësi biologjike izolimi” gjatë kthimit në SHBA.

Ndërkohë, ministrja franceze e Shëndetësisë Stéphanie Rist deklaroi se gjendja e gruas së izoluar në Paris po përkeqësohet dhe se janë identifikuar 22 persona kontakti.

Mbi 90 pasagjerë të anijes po riatdhesohen nga Ishujt Kanarie, ndërsa autoritetet shëndetësore në disa vende kanë nisur karantina dhe monitorime intensive.

Tre persona kanë humbur jetën në kroçerë: një çift holandez dhe një grua gjermane. Dy prej viktimave janë konfirmuar të infektuara me virusin Andes, një formë e rrallë hantavirusi që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.

World Health Organization ka rekomanduar 42 ditë izolim për pasagjerët e “MV Hondius”, por autoritetet amerikane nuk po ndjekin plotësisht këtë protokoll.

Kreu i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se shmangia e rekomandimeve mund të sjellë rreziqe, megjithëse zyrtarët amerikanë insistojnë se transmetimi nga njeriu te njeriu mbetet shumë i rrallë.

Pamjet nga Tenerife treguan pasagjerët të veshur me mantela blu mbrojtës dhe maska mjekësore gjatë evakuimit nga anija.

Ndërkohë, Britania ka izoluar 20 shtetas në një spital në Manchester, Spanja ka futur në karantinë 14 qytetarë në Madrid, ndërsa Holanda, Australia dhe vende të tjera po organizojnë kthimin dhe izolimin e pasagjerëve të tyre.

Hetimet vazhdojnë për të zbuluar origjinën e saktë të shpërthimit, ndërsa ekspertët dyshojnë se “pacienti zero” mund të ketë qenë një turist holandez që kishte udhëtuar në Amerikën e Jugut përpara nisjes së kroçerës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu