Autoritetet shëndetësore në katër kontinente po gjurmojnë dhe monitorojnë pasagjerët që zbritën nga anija turistike “MV Hondius” përpara se të zbulohej shpërthimi vdekjeprurës i hantavirusit.

Tre persona kanë humbur jetën nga shpërthimi, një çift holandez dhe një shtetase gjermane, ndërsa disa të tjerë janë sëmurë. Simptomat e virusit mund të shfaqen nga një deri në tetë javë pas ekspozimit.

Sipas autoriteteve, më 24 prill, më shumë se 30 pasagjerë nga të paktën 12 vende të ndryshme zbritën nga anija në ishullin Shën Helena pa iu nënshtruar procedurave të gjurmimit të kontakteve, pasi në atë moment ende nuk ishte konfirmuar zyrtarisht hantavirusi në bord.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreziku për publikun mbetet i ulët, pasi hantavirusi zakonisht transmetohet nga thithja e grimcave të ndotura nga brejtësit dhe përhapja mes njerëzve është shumë e rrallë.

Megjithatë, testi ka konfirmuar se të paktën pesë persona në bord janë infektuar me virusin “Andes”, një variant i hantavirusit i identifikuar në Amerikën e Jugut dhe i vetmi lloj që besohet se mund të transmetohet nga njeriu te njeriu.

Autoritetet në Singapor, Afrikën e Jugut, Holandë, Britani dhe SHBA po monitorojnë pasagjerët që kanë udhëtuar nga anija drejt vendeve të tyre. Një stjuardesë holandeze, që kishte kontakt me një pasagjere të infektuar gjatë një fluturimi në Johanesburg, po testohet pasi ka shfaqur simptoma të ngjashme.

Ndërkohë, anija me më shumë se 140 persona në bord po lundron drejt Ishujve Kanarie në Spanjë, ku pritet të mbërrijë gjatë fundjavës.

Hetimet po përqendrohen në Argjentinë, pasi dy rastet e para të konfirmuara kishin vizituar zona ku jeton lloji i minjve që mbart virusin Andes, përpara se të hipnin në anije gjatë një turi vëzhgimi zogjsh.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu