
Pas aksidentit tragjik të ndodhur një ditë më parë në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur, Policia e Shtetit ka marrë masa të menjëhershme administrative ndaj drejtuesve vendorë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të tre drejtuesve kryesorë të Policisë në Durrës, për shkak të performancës së dobët në përmbushjen e detyrave.
Bëhet fjalë për Drejtorin e Policisë Vendore Durrës, Afrim Tafa, Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike, Zija Sulaj, si dhe Shefin e Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.
Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes, është ngritur një grup ekspertësh nga Drejtoria e Policisë Rrugore, të cilët kanë shkuar në vendin e aksidentit për të analizuar në detaje shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë.
Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor për të verifikuar nëse ka përgjegjësi konkrete nga punonjës të Policisë në lidhje me këtë rast.
Ngjarja e rëndë, që tronditi opinionin publik, ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë rrugore dhe rolin e institucioneve në parandalimin e aksidenteve fatale.



