Nikoll Radaçi. Autori i aksidentit qe vrau dy femije. Ishte i dehur ne timon. Fqinjet e njohin si njeri problematik ne lagje

 

Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik i ndodhur pasditen e 3 majit në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 14:10, në rrugën “Ohri”, në lagjen nr. 15. Drejtuesi i automjetit, shtetasi N. R., 57 vjeç, duke drejtuar një mjet tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përplasur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, humbën jetën dy të mitur, 12 dhe 10 vjeç, ndërsa fëmija 8-vjeçar, pas ndihmës së parë në Spitalin Rajonal të Durrësit, u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Policia bëri të ditur se drejtuesi i mjetit u largua fillimisht nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar frikë nga reagimi i qytetarëve, por u ndalua më pas nga patrullat dhe u shoqërua në komisariat.

Testet e alkoolit treguan se 57-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me nivele 0.73 mg/l në testin e parë dhe 0.70 mg/l në të dytin. Ndërkohë, atij i është marrë edhe kampion gjaku për analiza të mëtejshme toksikologjike.

Nga hetimet paraprake rezulton se shkak i aksidentit dyshohet të jetë humbja e kontrollit për shkak të drejtimit në gjendje të dehur. Po ashtu, nga verifikimet rezulton se drejtuesi i mjetit ka qenë i ndëshkuar edhe më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë parakalime të gabuara dhe tejkalim shpejtësie.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen, “Drejtim në gjendje të dehur” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.

Policia e Shtetit i shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave dhe apeloi për respektim të rregullave të qarkullimit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve për parandalimin e tragjedive të tilla.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu