Një projekt i ri i terapisë me kafshë ka nisur në spitalin pediatrik “Meyer” në Firence, ku për herë të parë një mace do të përdoret në trajtimin e fëmijëve në repartin e psikiatrisë.

Bëhet fjalë për Pitagora, një mace e cila do të hyjë një herë në javë në ambientet e spitalit, në kuadër të një programi eksperimental të pet-therapy. Qëllimi është të ndihmojë fëmijët dhe adoleshentët me vështirësi emocionale dhe probleme në marrëdhënie sociale.

Spitali Meyer ka një eksperiencë mbi 25-vjeçare në përdorimin e kafshëve në terapi, kryesisht me qen. Por kjo është hera e parë që një mace bëhet pjesë e programit, duke hapur një kapitull të ri në trajtimet alternative.

Gjatë seancave, Pitagora do të shoqërohet nga një ekip i specializuar që përfshin mjekë, psikologë, veterinerë dhe ekspertë të sjelljes së kafshëve. Ata do të monitorojnë si reagimet e fëmijëve, ashtu edhe mirëqenien e kafshës.

Sipas specialistëve, ndërveprimi me macen mund të ndihmojë në rritjen e vetëbesimit, uljen e ankthit dhe përmirësimin e aftësive sociale tek fëmijët që kanë vështirësi në komunikim.

Nëse rezulton i suksesshëm, projekti mund të zgjerohet edhe në forma të tjera terapie, duke e bërë Pitagorën një pjesë të rëndësishme të trajtimit të pacientëve të vegjël.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu