Plazhet publike në Vlorë do të jenë me pagesë këtë sezon veror, pas vendimit të Këshillit Bashkiak për vendosjen e një tarife prej 700 lekësh për çdo çadër. Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga qytetarët, të cilët e konsiderojnë çmimin të lartë dhe të papërballueshëm, veçanërisht për pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta.

Shumë prej tyre shprehen se ndër vite kanë frekuentuar plazhet publike duke marrë çadrat nga shtëpia, ndërsa tani kërkojnë që të ruhet kjo mundësi dhe të ketë hapësira pa pagesë në bregdet.

Qytetarët ngrenë gjithashtu shqetësimin për mungesën e kushteve bazë në plazhe, si tualetet dhe dushet, duke e cilësuar vendimin të padrejtë në raport me shërbimin që ofrohet.

Vendimi u miratua vetëm me votat e këshilltarëve socialistë, ndërsa opozita votoi kundër dhe propozoi një tarifë më të ulët prej 500 lekësh, që nuk u pranua.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shumicës argumentojnë se tarifa është e nevojshme për të përballuar kostot e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të plazheve publike.

Menaxhimi i këtyre hapësirave do të kryhet nga kompania ‘Vlora Invest SHA’, e cila pritet të vendosë çadrat në zonat e Lungomares dhe Plazhit të Vjetër në ditët në vijim.

Debati për këtë vendim pritet të vijojë, ndërsa qytetarët kërkojnë rishikim të tarifës dhe garantimin e aksesit falas në plazhet publike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu