Debate të forta janë zhvilluar në Këshillin Bashkiak të Vlorë për projektvendimin që parashikon ndërtimin e një strehëze për qentë endacakë.

Këshilltari Atird Hoxha ka kundërshtuar projektin, duke e cilësuar të nevojshëm në parim, por me kosto të pajustifikuara. Sipas tij, fondi prej rreth 260 mijë euro për 8 muaj përkthehet në rreth 260 euro në muaj për çdo qen.

“260 euro për një qen… po për qytetarët në nevojë sa paguhet?” – është shprehur ai, duke vënë në dukje diferencën me ndihmën ekonomike që marrin familjet në vështirësi.

Në projekt përfshihen paga për 6 punonjës, shpenzime operative dhe një ambient me qira rreth 2 mijë euro në muaj, ndërsa vetëm kostoja e kafazeve arrin në rreth 50 mijë euro.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të buxhetit 2026, fondi për shtresat në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuar është rreth 310 mijë euro në vit, ndërsa ndihma ekonomike për familjet mbetet rreth 35 euro në muaj.

Pavarësisht kritikave, projektvendimi është miratuar me votat e këshilltarëve të majtë, ndërsa opozita votoi kundër, duke kërkuar rishikim të kostove dhe më shumë transparencë në përdorimin e fondeve publike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu