
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka publikuar një denoncim të fortë, duke ngritur pikëpyetje mbi procesin e licencimit të Jet Bank nga Banka e Shqipërisë.
Në një reagim publik, ai ka bërë të ditur se ka siguruar dokumente zyrtare, të cilat sipas tij hedhin dritë mbi lidhje të dyshimta që lidhen me këtë institucion financiar dhe individë të përfshirë në aktivitete të mëparshme të dyshuara për mashtrim.
Sipas Këlliçit, në dokumente përmendet shtetasi Oliver Hemmer, i lidhur me kompani që kanë operuar për llogari të strukturave të dyshuara për skema mashtrimi financiare në disa vende europiane. Po ashtu, ai përmend edhe emrin e Gal Barak, i dënuar më parë në Austri për një skemë mashtrimi me dëme të konsiderueshme.
Deputeti thekson se një kompani e lidhur me këta individë zotëron shumicën e aksioneve të Jet Bank, e cila është banka e parë online në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për standardet e verifikimit dhe integritetin e procesit të licencimit.
Ai paralajmëron se çështja nuk është vetëm ligjore, por edhe sistemike, duke ngritur pyetjen nëse Shqipëria rrezikon të kthehet në një nyje për pastrimin e parave.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Banka e Shqipërisë lidhur me këto pretendime.






