Rritja e fortë e çmimit të naftës gjatë muajit mars ka rënduar ndjeshëm xhepat e qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë paguar rreth 11 milionë euro më shumë vetëm për këtë karburant shkruan revista Monitor.

Në fillim të marsit, çmimi i naftës u rrit nga 175 lekë për litër në 179 lekë, ndërsa në ditët në vijim u përball me një rritje të vazhdueshme, duke arritur deri në 218 lekë në fund të muajit. Mesatarisht, një litër naftë kushtoi rreth 200 lekë, ose 14% më shumë krahasuar me periudhën e mëparshme.

Shtrenjtimi erdhi si pasojë e tensioneve në tregjet ndërkombëtare, pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme, që ndikuan drejtpërdrejt në bursat globale të karburanteve.

Sipas të dhënave zyrtare, konsumi i naftës në mars arriti në 35.8 mijë ton, ose rreth 42.4 milionë litra, me një rritje prej rreth 6% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Pavarësisht çmimeve më të larta, kërkesa për naftë jo vetëm që nuk ra, por vijoi të rritet, duke konfirmuar se bëhet fjalë për një produkt me kërkesë të domosdoshme.

Në total, shqiptarët shpenzuan rreth 8.5 miliardë lekë (afërsisht 87 milionë euro) për naftë gjatë marsit. Nëse çmimi do të kishte mbetur në nivelin e mëparshëm prej 175 lekë për litër, shpenzimi do të ishte rreth 1.05 miliardë lekë më i ulët, ose afro 11 milionë euro më pak.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se përdorimi i automjeteve mbetet i lartë. Në mars u regjistruan 7,891 automjete të reja, një rritje prej 15% krahasuar me një vit më parë, duke shënuar rekord historik për këtë muaj.

Në total, në vend qarkullojnë mbi 1 milion automjete, ku rreth 70% përdorin naftën si lëndë djegëse, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes benzinës, gazit dhe një përqindjeje të vogël të mjeteve elektrike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu