Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Itali, ku do të takohet me homologen e tij, Giorgia Meloni.

Lajmi është bërë i ditur nga Qeveria Italiane, e cila ka konfirmuar se takimi mes dy liderëve do të zhvillohet në orën 15:00, në selinë e qeverisë italiane, Palazzo Chigi.

Ende nuk janë bërë publike detaje mbi axhendën e plotë të takimit, por burime zyrtare bëjnë me dije se në fokus pritet të jenë çështje me interes të përbashkët, si forcimi i bashkëpunimit dypalësh, procesi i integrimit europian dhe zhvillimet në rajon.

Vizita e Ramës në Romë vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa pritet të japë sinjale të reja për thellimin e partneritetit Shqipëri-Itali.

Në vijim të vizitës, kreu i qeverisë shqiptare do të udhëtojë drejt Barcelonës, ku me ftesë të kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez do të marrë pjesë në Samitin “Në Mbrojtje të Demokracisë”.

Punimet e samitit do të përqendrohen në çështje kyçe si forcimi i institucioneve dhe multilateralizmit, si dhe sfidat që lidhen me dezinformimin dhe teknologjinë digjitale. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të hapësirës dixhitale dhe luftës ndaj pabarazive si bazë për një demokraci të qëndrueshme.

Në kuadër të këtij aktiviteti ndërkombëtar, Rama pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të rëndësishëm, përfshirë kryeministrin Sánchez dhe Presidentin e Këshillit Europian, António Costa.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu