Një zjarr i fuqishëm që përfshiu një pallat 12-katësh në rrugën e Dibrës, pranë zonës së njohur si “Farmacia 10”, dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia e disa të miturve, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, janë administruar pamjet e kamerave të sigurisë nga bizneset përreth, të cilat kanë ndihmuar në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes. Në video shfaqen pesë fëmijë të mitur që qëndrojnë për disa minuta në pjesën e pasme të një marketi.

Dy prej tyre largohen duke mbajtur në duar një objekt të paqartë, që dyshohet të jetë një copë letër, të cilën e hedhin mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit. Vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtin vend shfaqet tym, që shpejt shndërrohet në flakë, duke u përhapur me shpejtësi në fasadën e pallatit.

Zjarri përfshiu dhjetëra apartamente, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke alarmuar banorët e zonës.

Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar katër persona, të dyshuar për veprat penale “shkatërrim i pronës nga pakujdesia” dhe “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ndërkohë, katër persona të tjerë janë proceduar penalisht dhe janë nën hetim.

Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu